Vlora Marina dhe Celim rehabilitojnë lulishten Marigo Pozio në Vlorë

Fëmijët e qytetit të Vlorës tashmë do të kenë një hapësirë të re publike për të kaluar kohën e lirë dhe për t’u argëtuar me njëri tjetrin. Lulishtja Marigo Pozio në qytetin bregdetar me mbështetjen e projektit Vlora Marina është plotësuar me një kënd lojërash, duke i dhënë rijetëzim gjithë zonës përreth. Kjo nismë është një bashkëpunim i projektit Vlora Marina me shoqatën Celim e cila ka realizuar pjesën e parkut me stola dhe tavolina, pranë këndit të lojërave për fëmijët.

Në këtë mënyrë hapësira e re do t’ju shërbejë si fëmijëve ashtu edhe të moshuarve. Krijimi i një parku lojërash pranë parkut me stola dhe tavolina është një element i veçantë i kësaj nisme, pasi do të shërbejë për ndërveprim mes brezash, duke inkurajuar një bashkëjetesë harmonike mes të rinjve dhe të moshuarve nga njëra anë dhe transmetimin e historisë, kulturës dhe traditave të pasura midis të moshuarve dhe fëmijëve nga ana tjetër.

Kultura, arti, mjedisi dhe edukimi kanë qenë vazhdimisht në fokus të projekteve sociale që Vlora Marina ka ndërmarrë gjatë këtij viti. Ky angazhim shërben për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur dhe historisë së qytetit të Vlorës që konsiderohet si një prej qyteteve më të vizituar gjatë 2024, me një rritje prej gati 25% të numrit të vizitorëve krahasuar me një vit më parë.

Një kontribut i rëndësishëm në promovimin e kulturës ka qenë edhe sponsorizimi i edicionit të 16-të të Aulona Inter Folk Festival, një eveniment kulturor i kthyer tashmë në një traditë dhe që e shndërroi për disa ditë rrjesht qytetin bregdetar në një arenë ndërkombëtare të kulturës dhe traditës folklorike.Duke vlerësuar artin dhe të bukurën si një element i rëndësishëm i vlerave të vendit tonë, Vlora Marina ko kontribuar gjithashtu me suportin e saj në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit, një eveniment i kthyer tashmë në traditë dhe që shërben për të promovuar trashëgiminë kulturore të vendit në një skenë ndërkombëtare. Falë evenimente të kësaj natyre, Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend që krahas bukurive natyrore po preferohet edhe për traditat, historinë dhe kulturën e saj.
