Vlora një perlë e turizmit shqiptar e gjitha për t’u zbuluar
Vlora është një prej qendrave më të rëndësishme turistike në vendin tonë që përveç bukurive natyrore, plazheve mahnitëse, gjireve e shpellave karakteristike ka pafund atraksione turistike për të vizituar. I gjithë qyteti dhe zonat përreth bartin një sërë vlerash historike dhe kulturore që kanë terhequr dhe vazhdojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Nëse nuk keni në plan të shkoni në plazh, apo nëse dëshironi ta vizitoni Vlorën përtej sezonit veror, qyteti ka shumë atraksione të tjera të cilat i mbushin më së miri ditët tuaja duke ju falur emocione dhe duke ju njohur edhe më shumë me kulturën, kulinarinë dhe historinë e një qyteti që do t’ju befasojë në çdo aspekt. Vetë qyteti i Vlorës ofron disa monumente me vlerë historike siç është
1. Muzeu i Pavarësisë
Ky Muze pozicionet në ndërtesën ku ka qëndruar Qeveria e parë shqiptare. Aty janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë. Gjithashtu në muze mund të vizitoni zyrën e Kryeministrit shqiptar të asaj kohe Ismail Qemali dhe sallën e mbledhjeve të Qeverisë së parë shqiptare.
2. Kuzum Baba
Ky është një tjetër atraksion brenda qytetit të Vlorës. Një taracë natyrore e gdhendur buzë detit e vendosur në një kodër mbi qytetin e Vlorës që e ka marrë emrin nga Sejiid Ali Sulltan , i njohur ndryshe si Kuzum Baba një lider shpirtëror bektashi, varri i të cilit ndodhet në këtë vend.
3. Pylli i Sodës, Laguna e Nartës dhe Manastiri i Zvërnecit
Pylli i Sodës është i njohur ndryshe si mushkëria e qytetit të Vlorës. Shtrihet përgjatë një hapësire prej rreth 600 ha dhe është një pasuri natyrore me shumëllojshmëri pemësh, bimësh dhe kafshësh. Në fund të pyllit të Sodës mund të vijoni udhëtimin në lagunën e Nartës për të dalë më pas në Ishullin e Zvërnecit një ishull i vogël, brenda të cilit ndodhet edhe manastiri i famshëm i Shën Mërisë.
4. Kalaja e Kaninës
Ndodhet vetëm 3 km larg qytetit të Vlorës dhe është cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore dhe historike në Vlorë e më gjerë. Historia e ndërtimit të saj nis që në shekullin e IV p.e.s duke përcjellë periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 389 metra mbi nivelin e detit dhe ofron një pamje 360 gradë të qytetit të Vlorës dhe gjirit të saj.
5. Kalaja e Porto Palermos
Një tjetër atraksion me vlera historike dhe kulturore është Kalaja e Porto Palermos e cila ndodhet në gjirin e Porto Palermos disa km në jug të Himarës. Kalaja u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena si një dhuratë për një nga gratë e tij të cilën e kishte shumë përzemër. Kalaja është e ndërtuar me 12 dhoma dhe një pus që në periudhën e Luftës së Dytë Botërore është përdorur si depo, ndërsa në kohën e diktaturës si burg.
6. Parku i Llogarasë
Një takim i përkryer mes malit dhe detit, Parku i Llogarasë është një prej hapësirave natyrore më të vizituara të Shqipërisë. Vetëm 40 km në juglindje të Vlorës, Parku ka një hapësirë me pyje të pafundëm të pishave e dushkut. Rrugës do të hasni pishën e famshme Flamur, një pishë 100 vjeçare të cilën erërat e forta e kanë përkulur duke e bërë të duket si Flamur që valvitet.
7. Hiking ne Malin e Cikës
Për të gjithë ata që e duan aventurën dhe janë të apasionuar pas hiking, zona e Vlorës pavarësisht se është një zonë bregdetare të ofron mundësi për një sport të tillë. Vitet e fundit ka filluar të preferohet gjithnjë e me shumë ngjitja në malin e Çikës nga maja e të cilit mund të shohësh një panoramë vërtetë mbresëlënëse.
8. Ishulli i Sazanit dhe Karaburunit
Ishulli i Karaburunit dallohet për plazhet dhe gjiret e vogla të futura mes shkëmbinjve, ujin e kristaltë dhe natyrën e bukur gati të virgjër. Rrugës për në ishull mund të ndalesh në shpellën e Haxhi Aliut, një ndër shpellat karstike më të bukura në vend. Shpella të jep përshtypjen e një katedrale gotike. Faqet e brendshme janë të mbushura plot me fole pëllumbash të egër, ndërsa fundi i shpellës është në formën e një liqeni të vogël në ngjyrë blu të thellë. Ndërsa ishulli i Sazanit është më i madhi në Shqipëri. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli ka shërbyer si bazë ushtarake, ku ishin vendosur anijet luftarake si dhe artilieria bregdetare. Në të gjithë ishullin gjenden aktualisht rreth 3600 bunkerë, duke e shndërruar këtë destinacion si një vend ku ndërthuret bukuritë natyrore me historinë dhe kulturën.