Vlora Marina dhe Green Coast mirëpritën një grup investitorësh dhe sipërmarrësish nga Holanda, në një aktivitet të veçantë që ndërthurte biznesin me sportin. Për tre ditë me radhë, të ftuarit u njohën nga afër me mundësitë që ofron Shqipëria në sektorin e real estate, përmes vizitave në projektet më të rëndësishme të bregdetit, Vlora Marina dhe Green Coast.
CEO e Balfin Real Estate, znj. Ledia Telhai dhe Drejtori i Shitjeve, z. Eltion Koçi, prezantuan vizionin dhe zhvillimet e projekteve, duke theksuar interesin gjithnjë e më të madh të investitorëve të huaj për tregun shqiptar. “Në sektorin e real estate, Shqipëria ofron mundësi që pak vende në rajon mund t’i garantojnë,” u shpreh znj. Telhai, duke theksuar se kërkesa e lartë për prona përgjatë bregdetit po reflektohet në rritjen e qëndrueshme të vlerës dhe në kthimin e tyre në një investim të sigurt e afatgjatë.
Duke ndalur tek rëndësia e këtij aktiviteti, z. Koçi, theksoi se ky event ishte një mundësi për të prezantuar nga afër potencialin e jashtëzakonshëm të këtyre projekteve, si dhe për të treguar se Shqipëria po fiton vendin e merituar në hartën e investimeve ndërkombëtare.
Edhe vetë investitorët e huaj u shprehën të impresionuar nga përvoja e tyre në Shqipëri. “Ka qenë një eksperiencë vërtet e jashtëzakonshme. Gjatë këtyre ditëve në Shqipëri patëm mundësinë të njiheshim me potencialin e madh që ofron vendi për investime dhe me bukurinë natyrore të rivierës. Jam i bindur se Shqipëria po pozicionohet si një destinacion shumë tërheqës për investitorët,” u shpreh një prej tyre.
Aktiviteti vijoi më pas me një udhëtim në det përgjatë Rivierës Shqiptare, drejt Vlora Marinës. Teksa shijuan panoramën e gjireve dhe plazheve përgjatë vijës bregdetare, pjesëmarrësit u ndalën për të parë në terren zhvillimin e punimeve në projektin Vlora Marina si dhe më pas në ambientet e zyrave, ku janë njohur me vizionin dhe konceptin e këtij projekti, që pritet të sjellë në Shqipëri marinën e parë të klasit botëror dhe një kompleks rezidencial me apartamente premium buzë detit.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në prezantimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për kapitalin ndërkombëtar, duke e pozicionuar rivierën tone jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një qendër të re mundësish për investime në Mesdhe.





