Prezantohet projekti Vlora Marina, e para marinë e klasit botëror në Shqipëri
Në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, një vend që simbolizon historinë, përzgjedhur po aq si një pikë takimi për të parë nga e ardhmja, u prezantua projekti Vlora Marina, e para marinë e klasit botëror në Shqipëri. Një mbrëmje e veçantë bëri bashkë investitorë, partnerë e figura të njohura publike.
Vlora Marina është një ndër investimet strategjike më të rëndësishme që po realizohen në Shqipëri, një projekt i përbashkët i Grupit BALFIN dhe Brunes. “Ky port modern do të shërbejë si porta komunikuese e vendit tonë me destinacionet më të kërkuara turistike, duke mirëpritur vizitorë dhe rezidentë nga të gjitha anët e globit, për të përjetuar bukurinë dhe mikpritjen e pashoqe që ofron Shqipëria dhe veçanërisht Vlora,” tha Menaxheri i Projektit Ervin Bacaj, gjatë fjalës së tij në prezantimin e Vlora Marina.
Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, e konsideroi këtë investim shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në vend. “Vlora Marina parashikon të sjellë në Shqipëri mbi 200 mijë turistë në vit, përkthyer në 20 milionë euro të ardhura në vit për ekonominë vendase si dhe hapjen e shumë vendeve të reja të punës. Padyshim do të jetë një katalizator zhvillimi për qytetin,” u shpreh ai.
Ndërsa bashkë-investitori Gerond Çela, President i Brunes, e cilësoi projektin si një aset të çmuar që do t’i shërbejë qytetit, vendit dhe ekonomisë, gati për të pritur ankorimet e para nga sezoni i ardhshëm.
Brandet ndërkombëtare që do i bashkohen këtij projekti janë pjesa më e rëndësishme e tij. Marinën e parë në vend do ta menaxhojë një ndër emrat më të mëdhenj dhe prestigjiozë të industrisë botë, prezent në 7 shtete të ndryshme dhe me një fond prej 20 marinash në menaxhim, emri i së cilit do të zbulohet në vijim.
E vendosur në një nga pozicionet më të favorshme të qytetit, Vlora Marina sjell për herë të parë në Shqipëri një zhvillim urban miks, krejt autentik. Një marinë të klasit botëror me 438 vende për ankorim gjatë gjithë vitit, apartamente premium me pamje nga deti, një rrjet të njohur të brandeve luksoze me 5 yje të hotelerisë dhe një shëtitore që sjell markat më të njohura tregtare. Projekti prezanton gjithashtu rezidencat e branduara, një koncept i ri i cili i shton një tjetër dimension ekskluzivitetit dhe sofistikimit të Vlora Marina.