Vlora renditet e dyta në botë mes 10 destinacioneve më të preferuara sipas Booking
Shqipëria është shndërruar vitet e fundit në një prej destinacioneve më të preferuara nga vizitorët e huaj. Paketat joshëse turistike me çmime konkurruese, rezortet luksoze, plazhet mahnitëse si dhe jehona që i është bërë vendit tonë në mediat e huaja, kanë bërë që shumica e turistëve ti kthejnë sytë nga Shqipëria. Këtë e vërteton më së miri edhe platforma Booking.com e cila ka publikuar së fundmi një listë me 10 destinacionet më të kërkuara turistike për vitin 2024 dhe Vlora renditet e dyta në këtë listë. Booking.com njofton turistët se Vlora ofron pushime evropiane si në Maldive, por shumë herë më lirë. Në Vlorë mund të gjeni disa nga atraksionet më të bukura turistike në të gjithë vendin ku përmendim Lagunën e famshme të Nartës së cilës i kanë bërë jehonë jo pak herë mediat e huaja përfshirë këtu edhe National Geographic. Kjo e fundit, pak kohë më parë i dedikoi një artikull të plotë duke publikuar foto speciale nga Laguna dhe spektakli i flamingove ngjyrë rozë që zbarkuan në të. Llogaraja është një tjetër pikë turistike mjaft e frekuentuar, jo vetëm për bukurinë e saj, por gjithashtu edhe për të apasionuarit pas sporteve ajrore. Nga këtu mund të ushtroni hedhjen me parashutë dhe gjtihashtu të shijoni panoramën mbresëlënëse të gjithë zonës nga sipër. Viti që lamë pas shënoi një rekord turistësh në Shqipëri. Vendin tonë e kanë vizituar gjatë gjithë vitit mbi 10 milion turistë nga e gjithë bota të cilët u njohën me historinë, kulturën, plazhet piktoreske dhe kulinarinë, duke lënë përshtypjet më të mira për këtë vend dhe me dëshirën për t’u rikthyer sërish në çdo stinë të vitit. Ndërsa 2024 sipas parashikimeve premton të jetë edhe më i suksesshëm dhe kjo falë projekteve ambicioze që po realizohen në qytetin e Vlorës si dhe përmirësimit ndjeshëm të infrastrukturës. Një prej ketyre projekteve është edhe Vlora Marina, një zhvillim urban miks që përfshin ndërtimin e të parës marinë të klasit botëror në vend me 438 vende ankorimi për jahte dhe megajahte deri në 50 metra. Pjesë e projektit janë një numër i limituar apartamensh premium me pamje nga deti, apartamente të branduara, një shëtitore buzë detit me brandet më të njohura ndërkombëtare si dhe hotelin me 5 yje Vlora Marriott Hotel. Ndërkohë me hapjen e tunelit të Llogarasë dhe me vënien në funksion të aeroportit të Vlorës ky destinacion do të jetë lehtësisht më i arritshëm si në rrugë detare, ashtu edhe ajrore e tokësore.